bodrum escort bayanizmir escorthttps://diaafootball.com/www.dennistx.comgaslampdm.comCanlı Casino Siteleri - Sahabet, Casino ve Sahabet Girişwww.apvolleyball.comankara escortkadıköy escortpendik escortbostancı escortgaziantep escortgaziantep escortankara bayan escortataşehir escortfeelingbet casinoMrXbet casinoGoodman casinoAzur casinoMebbisonwinjojobetimajbetholiganbetbetkomtrendyol indirim kodubim aktüelkayseri evden eve nakliyatdeneme bonusu veren sitelertipobetCasibombets10kredi hesaplamaa101 aktüelmavibetbetpark girişonwin girişparibahisparibahisparibahisbetnisAvcılar Escortslot siteleri https://en-iyi-10-slot-siteleri.comstarzbet adamsah.net Muhammed Reshid Rida

Koloset e tefsirit

Muhammed Reshid Rida

Muhammed Reshid Rida

dhe tefsiri i tij

TEFSIRUL KUR’ANIL HAKIM i njohur si

“TEFSIRU-L-MENAR”

 

Muhammed Reshid Ridaja i takon plejadës së dijetarëve më eminentë islamë të pjesës së parë të shekullit XX, që kontribuuan për zgjimin dhe ngritjen e mendimit përparimtar islam. Frytet e punës së tij të palodhshme u reflektuan më vonë tek gjeneratat që erdhën pas tij, të cilat vazhduan rrugën që kishin trasuar ai dhe mësuesi i tij Muhammed Abduhu. Kjo ngritje kishte për qëllim zgjimin e vetëdijes e të ndërgjegjes dhe të kuptuarit e nocioneve shoqërore institucionale të Islamit. Ishte imperativ i kohës që njerëzve t’u shpjegohej se feja islame mund t’i shëronte të gjitha sëmundjet shoqërore dhe t’i zgjidhte të gjitha problemet sociale të jetës bashkëkohore, nga të cilat po vuante shoqëria e atëhershme muslimane.

Një kohë ishte i ndikuar nga mësimet sufiste, por me takimin e tij me Abduhunë, nxënës i Afganit, jeta e tij ndryshoi rrënjësisht, kështu që me kalimin e kohës u bë pasues i denjë i Abduhusë në shkollën e komentimit racional të Kur’anit, dhe një ndër udhëheqësit e reformizmit në shoqërinë muslimane.

Për vite të tëra ishte dorë e djathtë e Abduhusë dhe redaktor i revistës “El-Menar”, e cila kishte bërë jehonë të madhe kudo në Botën Islame. Pas vdekjes së Abduhusë, vazhdoi me komentimin e Kur’anit famëlartë-“Tefsirul Menar”, të cilin megjithatë nuk arriti ta përfundonte por që konsiderohet të jetë një prej tefsireve bashkëkohore racionale e shkencore, që ka një vlerë dhe rëndësi të veçantë në shkencën e tefsirit.

 

Biografi e tij e shkurtër

Emri i tij i plotë është Muhammed Reshid ibn Ali Rida ibn Muhammed Shemsuddin ibn Muhammed Behauddin ibn Munla Ali Halifa el-Kalemuni el-Bagdadi. U lind më 27 Xhumadel Ula 1282 h. / 18.10.1865 në fshatin Kalemun, në jug të qytetit Tarablus të Libanit. Ridaja vetë e ka pohuar se kishte prejardhje të dyfishtë nga loza e Aliut r.a.; loza nga babai vjen nëpërmjet Husejnit r.a., kurse loza nga nëna, tek Aliu r.a. lidhet nëpërmjet Hasanit r.a. Vitet e para të jetës së tij i kaloi në vendlindje në Kalemun, ku dhe mori mësimet e para.[1]

Përveç Libanit, i cili atëbotë ishte pjesë e vilajetit të Shamit në kuadër të Perandorisë Osmane, një kohë jetoi edhe në Siri, pastaj udhëtoi dhe qëndroi në Hixhaz, Indi dhe Evropë, por kohën më të madhe të jetës së tij e kaloi në Egjipt, i cili qe bërë atdheu i tij i dytë. Ishte tërësisht i ndikuar nga idetë e Afganit dhe të Abduhusë, kështu që këta të tre, zaten, edhe njihen si themelues të shkollës moderne racionaliste dhe shkencore të tefsirit. Vdiq më 23 Xhumadel Ula 1354 / 22.08.1935 dhe u varros në Kajro pranë varrit të mësuesit të tij Muhammed Abduhusë.[2]

 

Arsimimi i tij

Fillet e para të arsimimit, Ridaja i mori në mektebin e vendlindjes së tij, e pastaj vazhdoi mësimet në disa medrese të Tarablusit, në të cilat mësoi dy gjuhë të huaja, turqishten dhe frëngjishten. Në këtë kohë mësoi tek shumë dijetarë, por më së tepërmi ishte i lidhur me profesorin e tij Husejn el Xhisr, i cili në përfundim të shkollimit i dha ixhazetnamenë-diplomën, me të cilën iu hapën dyert që edhe ai vetë të arrinte majat e diturisë. Dhe vërtet Reshid Ridaja, me përpjekje e angazhim të madh, me kohë arriti të zinte vend, madje shumë të spikatur, në mesin e shkencëtarëve më të mëdhenj të Botës Islame.

Në jetën e Ridasë ndikim të madh patën dy njerëz: Husejn el Xhisri dhe Muhammed Abduhuja, dhe dy vepra: “Ihjau Ulumu-d-din” dhe revista “Urvetul Vuthka”. Vepra e Imam Gazaliut, të cilën e kishte lexuar shumë herë, kishte ndikuar tek ai që të futej në botën e misticizmit (tarikati Nakshebendijj), saqë një kohë të izolohej tërësisht nga bota, por pas kontaktit të tij me revistën “Urvetul Vuthka”, ai iu kthye jetës normale, duke propaganduar për një rizgjim të muslimanëve, duke i këshilluar ata që të largoheshin nga disa zakone të kota, që herë-herë njeriun e largojnë edhe nga besimi i vërtetë, siç ishin: vizitat e tyrbeve e varrezave, tek të cilat popullata, kryesisht e paarsimuar, kërkonte “shpëtim” dhe “falje mëkatesh”.

 

Ndikimi i Afganit dhe i Abduhusë në Ridanë

Deri në takimin me idetë reformiste të Afganit dhe Abduhusë, Ridaja, i ndikuar tërësisht nga vepra e Imam Gazaliut, ishte dhënë pas misticizmit, por pasi i kishin rënë në dorë dy numra të revistës “Urvetul Vuthka”, të cilën Afgani dhe Abduhu e botonin në Paris, ndodhi kthesa vendimtare në jetën e tij.[3] Kështu niste një fazë e re e jetës së tij, për të cilën ai thotë: “Para kësaj kohe, interesimi im ishte vetëm në përmirësimin e besimit tek muslimanët, largimin e tyre nga gjërat e ndaluara e të kota, nxitjen e tyre për ibadet dhe jetë askete, kurse pas kësaj (pas njohjes me mësimet e Afganit dhe Abduhusë) shpirti im përqafoi me një forcë të çuditshme mësimet reformiste, përmes të të cilave muslimanët nxiteshin për përparimin dhe qytetërimin e mirëfilltë, për të ecur krahas popujve të tjerë të qytetëruar të botës”.

Reshid Ridaja u përpoq të vinte një kontakt fizik me këta dy reformatorë të mëdhenj, por kjo nuk i shkoi për dore me Afganin. Ai me të zhvilloi vetëm disa korrespondenca me letra, derisa Afgani gjendej në Stamboll. Ridaja në këto letra kishte shprehur dëshirën e madhe për t’u takuar me këtë mendimtar të madh bashkëkohor, por vdekja e Afganit, pamundësoi takimin e tyre. Ndërkohë që me Abduhunë u takua disa here, së pari në Tarablus e Bejrut për t’i vazhduar pastaj kontaktet në Kajro, dhe sa herë që kontaktonte me të, aq më shumë e admironte qëndrimin e tij të paepur prej reformisti.[4]

Pas vdekjes së Afganit (1896 e.r.-1314 h.), Reshid Ridaja vendosi të njihej nga afër me Abduhunë, pasuesin e ideve të Afganit. Takimi i tyre më i frytshëm qe ai në Kajro në dhjetor 1897, kur Reshid Ridaja, i propozoi Abduhusë të fillonte komentimin e tërësishëm të Kur’anit, sipas metodologjisë që kishte ndjekur gjatë komentimeve në revistën “Urvetul Vuthka”. Nga modestia, Abduhusë i dukej e tepërt ta rëndonte shkencën e tefsirit edhe me një komentim tjetër, por, pas insistimeve të vazhdueshme të Ridasë, pranoi një gjë të tillë. Fillimisht në Universitetin e Az-harit filloi t’u komentonte studentëve Kur’anin famëlartë, duke filluar nga surja “El-Fatiha”. Këto komentime i bëri për gjashtë vjet me radhë, të cilat Ridaja, i botonte në revistën që kishte themeluar vetë -“El-Menar”.

 

Veprat e Reshid Ridasë

Ridaja është autor i shumë veprave, artikujve dhe studimeve, të cilat as sot e kësaj dite nuk kanë humbur fare nga vlera, madje disa prej tyre janë aktuale edhe më shumë se në kohën kur janë shkruar. Ishte shumë i frytshëm në shkrimet e tij, saqë shkrimtari dhe publicisti islam me renome botërore, Shekib Arselan, ka thënë: “Po t’u shpërndaheshin veprat dhe shkrimet e tij (d.m.th. të Ridasë) pesëdhjetë njerëzve, do të mjaftonte që ata të pesëdhjetë të ishin ndër dijetarët më të mëdhenj të kohës...”.[5]

Prej veprave të tij më të rëndësishme do të veçonim:

  1. “El-ikmetu-sh-sher'ijje fi muhakemetil-kaderijje ver-rifa'ijje” – Një libër në të cilin kritikoi tarikatet kaderijje dhe rufaijje. Kjo ishte vepra e tij e parë që e shkroi derisa ishte në Sham.
  2. Tarihul-Ustadh el-Imam esh-shejh Muhammed Abduhu ve ma xhera bi Misre fi asrihi” – Një biografi komplete e profesorit të tij Muhammed Abduhu dhe kronikë e ngjarjeve që kishin ndodhur në Egjipt në kohën e tij. Është vepër e botuar në tri vëllime të mëdha.
  3. “Hukuku-n-Nisa’ë fi-l-Islam” - Libër që flet për të drejtat e grave nën hijen e Sheriatit islam.
  4. “El-Vahjul-Muhammedij” – Libër që flet rreth shpalljes së Muhammedit a.s.
  5. “El-Menaru vel-Azhar”- (Revista El-Menar dhe Universiteti i Azharit),
  6. Dhikra el-mevlidin-nebevij” – Libër rreth kujtimit dhe manifestimit të ditëlindjes së Pejgamberit a.s.
  7. “El-Vahdetul-islamijje”
  8. “Jusrul-Islami ve usulu-t-teshri' il-aam” – (Lehtësitë e Islamit dhe parimet e përgjithshme të jurisprudencës) – Libër që flet në lidhje me jurisprudencën islame,
  9. “El-hilafetu ev-il-imametul- udhma” – Vepër që flet për rëndësinë e hilafetit dhe prijësit kryesorë ndër muslimanët.
  10. “El-Vehhabijjune vel-hixhazijjune” - Vepër në të cilën mbron qëndrimet e Muhammed Abdul Vehabit në lidhje më çrrënjosjen e bidateve- risive në Hixhaz.
  11. “Es-Sunneh vesh-Shiah”– Vepër që flet në lidhje me raportet mes suninjve dhe shiinjve.
  12. “Menasikul Haxh-xhi”.
  13. “Tefsiru-l-Kur’ani-l-Hakim - (Komentim i Kur’anit të Urtë) ose siç është i njohur në qarqet e dijetarëve “Tefsirul Menar” – komentim i Kur’anit të cilin e kishin shkruar bashkërisht me Muhammed Abduhunë, dhe e kishte vazhduar edhe pas vdekjes së Abduhusë.
  14. “Hakikatu-r-Riba vel-mu'amelat fil-Islam” – rreth kamatës në Islam.
  15. “Muhaveratul-muslihi vel-mukal-lidi” – (Dialogu në mes reformatorit dhe imitatorit (mukal-lidit),
  16. “Nida' lil-xhinsil-latif”.
  17. “Risaletu fi huxh-xhetil Islam - el-Gazali”.
  18. “Shubuhatun-nesara ve huxhexhul-Islam”.
  19. “Inxhil Barnaba”.
  20. “El-muslimune vel-kibt” - (Muslimanët dhe Koptët (ortodoksët e Egjiptit),
  21. Fetava Es-Sejjid Reshid Rida”
  22. Terxhemetul-Kur'an” – (Të përkthyerit e Kur’anit), mendimet për dhe kundër përkthimit të Kur’anit në gjuhë të huaja etj.[6]

 

Revista “El-Menar” dhe aktivitetet reformiste

Reshid Ridaja ishte shumë i flaktë të botonte një revistë që do t’i ngjante revistës “Urvetul Vuthka”, por një gjë të tillë nuk deshi ta bënte pa marrë paraprakisht edhe mendimin e profesorit të tij Muhammed Abduhu. Ai i shfaqi atij planet e veta dhe, pas disa konsultimeve, Abduhuja u pajtua me idenë për të nisur botimin e kësaj reviste të re dhe bashkërisht e pagëzuan “El-Menar”, që do të thotë: “fanar”, “ndriçues” ose “udhërrëfyes për në dritë”. Numri i parë i kësaj reviste u botua në mars 1898, në të cilin Ridaja kishte shënuar se cilat ishin arsyet e botimit të saj që përmblidhen në këto pika:

  1. Përhapja e ideve reformiste në sferën e jetës shoqërore, ekonomike dhe fetare;
  2. Sjellja e argumenteve se Islami si fe për tërë njerëzimin është kompatibël dhe i vlefshëm për të gjitha kohët dhe lëmenjtë e jetës bashkëkohore;
  3. Vazhdimësia e punës sipas principeve të revistës “Urvetul Vuthka”, etj.

Muhammed Reshid Ridaja udhëhoqi dhe redaktoi revistën “El-Menar”, duke botuar në të artikuj të tij dhe të Muhamed Abduhusë, pastaj kishte inkuadruar në të edhe penat më të njohura të kohës, dhe për një kohë shumë të shkurtër revista kaloi kufijtë e Egjiptit dhe shpërndahej gjithandej në botë.[7] Në lidhje me këtë, Abduhu do të konstatonte: “Drejtuesi i “El Menarit” është interpretuesi më besnik i mendimeve të mia”, dhe: “Muhamed Reshid Ridaja është bashkëmendimtar imi në akide, në mendime, moral dhe punë.”[8]

Me një fjalë, revista “El-Menar” gjatë kësaj kohe ishte bërë epiqendër e ideve bashkëkohore revolucionare dhe reformiste, sidomos në shkencën e tefsirit, duke iu qasur atij me një metodë të re racionale, shkencore dhe politike.

Kjo bëri që emri i Reshid Ridasë të njihej në mbarë Botën Islame dhe më gjerë, prandaj nuk është çudi që shumë dijetarë islamë[9], po edhe orientalistë nga Evropa, të mbanin vazhdimisht korrespondencë me të.

Fatkeqësisht, pas vdekjes së Ridasë, revista “El-Menar” nuk vazhdoi shumë gjatë, ani pse prof Behxhet el Bejtar shtatë muaj pas vdekjes së Ridasë mori përsipër botimin dhe redaktimin e saj. Prof Bejtari në disa numra të “El-Menarit” arriti të komentonte deri në ajetin 101 të sures Jusuf, të cilën e kishte lënë në gjysmë Reshid Ridaja, por menjëherë pas kësaj, revista pushoi së botuari për tre vjet. Pas kësaj familja e Reshid Ridasë redaktimin e revistës ia ofroi udhëheqësit të “Ihvanul muslimin”, Hasan el Benna, i cili kishte qenë një prej pasuesve të mësimeve të Ridasë. Hasan el Benna nxori në dritë 6 numra të “El-Menarit për 16 muaj, dhe pastaj, për shkaqe objektive, “El-Menari përfundimisht u kthye në histori.[10]

Duke shfletuar faqet e revistës “El-Menar” shohim se Ridaja luftonte me mish e shpirt që muslimanët t’i largonte nga besëtytnitë dhe risitë që ishin mbjellë për shekuj në shpirtin e tyre, duke ua bërë me dije se Islami është i pastër nga gjërat e tilla. Ai me theksim të veçantë kritikonte ulemanë e kohës që bënin fare pak që nga mesi i besimtarëve të çrrënjoseshin paragjykimet dhe besëtytnitë që mbretëronin në Egjipt dhe kudo në Botën Islame. Ai mendonte se popujt muslimanë nuk do të ecnin kurrë përpara në zhvillim dhe emancipim, pa flakur këto gjëra që i bartnin si bagazh negativ nga e kaluara. Ai po hulumtonte të gjente tek populli atë kandilin e dritës, që pothuajse ishte fikur në zemrat e besimtarëve, dëshironte t’i ngrinte me çdo kusht masat popullore, t’u jepte shpresë e t’i nxiste për t’u arsimuar e për të punuar, për t’u ngritur në shkallën e popujve të qytetëruar, aty ku realisht e kishin vendin, që e kishin pasur për shekuj me radhë, kur qenë udhëheqës të botës në sferën e shkencës e të kulturës mbarënjerëzore.

 

Kontributi i Ridasë në komentimin e Kur’anit

Prej të gjithë dijetarëve që i përkasin shkollës racionale në tefsir, në këtë sferë, pa dyshim që më i frytshmi ishte Muhammed Reshid Rida edhe pse nuk e komentoi Kur’anin në tërësi; në bashkëpunim me mësuesin e tij Abduhunë komentuan 5 xhuzet e para të Kur’anit, kurse vetëm e komentoi deri në xhuzin e 12 të tij.

Në të gjallë të Abduhusë, Ridaja shkruante në letër të gjitha komentet e Abduhusë, të cilat ky ua ligjëronte studentëve në Az-har, pastaj i redaktonte ato, shtonte edhe komentime të tij personale, dhe, si të tilla, ia paraqiste Abduhusë, i cili, pasi i korrigjonte, jepte leje që të botoheshin në “El-Menar”. Kjo mënyrë e komentimit në “El-Menar”, në bashkëpunim me Abduhunë, vazhdoi deri në komentimin e ajetit 125 të kaptinës “En-Nisa’ë”, do të thotë 5 xhuza jo të plotë.

Pas vdekjes së Abduhusë, Ridaja vazhdoi ta komentonte Kur’anin në “El-Menar” sipas të njëjtës metodë, deri në fund të jetës së tij, derisa arriti në xhuzin e 12, më saktësisht deri në ajetin 53 të kaptinës “Jusuf”.[11]

وَمَا أُبَرِّىءُ نَفْسِي إِنَّ النَّفْسَ لأَمَّارَةٌ بِالسُّوءِ إِلاَّ مَا رَحِمَ رَبِّيَ إِنَّ رَبِّي غَفُورٌ رَّحِيمٌ

“Unë nuk e shfajësoj veten time, sepse epshi është shumë nxitës për të keqen, përveç asaj që ka mëshiruar Zoti im, se Zoti im është që fal e mëshiron shumë.”

Pas vdekjes së Ridasë, prof. Behxhet el Bejtar vazhdoi komentimin e sures “Jusuf” në revistën “El-Menar” deri sa arriti në ajetin 101 të kësaj kaptine, duke shënuar se këto ishin komente të Ridasë, të lëna në dorëshkrim.[12]

Krahas botimit të këtyre komentimeve në revistën “El-Menar”, ky komentim u botua si i veçantë edhe si libër me emërtimin “Tefsirul Kur’anil Hakim”. Ky zaten edhe është emri origjinal i tefsirit të Ridasë, po për shkak të botimit të tij në revistën “El-Menar”, ai më shumë njihet si “Tefsirul Menar”.

Në këtë tefsir shfaqet në mënyrën më të ndritshme gërshetimi shpirtëror i mendimit reformist të profesorit (Abduhusë) dhe nxënësit (Reshid Ridasë), meqë burimi ishte i njëjtë, qëllimi po ashtu, metoda identike dhe mendimet të shkrira në një, kështu që nuk vërehet ndonjë dallim i theksuar në mes këtyre dy dijetarëve, përpos në disa raste, pas vdekjes së Abduhusë, të cilat vështirë mund të hetohen nga lexuesit e rëndomtë.

Sipas formës së tefsirit dhe të komentimit, ky tefsir në një masë të madhe i ngjan tefsirit të Ibn Kethirit, meqenëse në të Ridaja merr një grup ajetesh që flasin për një temë të caktuar, të cilat pastaj i komenton në disa fletë. Kur haste në ndonjë temë që ishte aktuale dhe zgjonte interesimin e tij, ai i qasej asaj gjerësisht, duke bërë krahasime-digresione të ndryshme gjatë komentimit.

Në fillim të “Tefsirul Menar” lexojmë një përshkrim të shkurtër të përmbajtjes së tij, të shkruar nga vetë autori Muhammed Reshid Rida, të stisur në gjashtë rreshta në gjuhën arabe, ku thotë: “Ky është tefsiri i vetëm që ngërthen në vete transmetime të vërteta nga tradita, që gërshetohen edhe me racionalen. Është tefsir që sqaron dispozita juridike dhe ligje të Allahut për njerëzimin. Bën me dije se ky Kur’an është udhërrëfyes për njerëzimin në çdo kohë dhe vend, se është një baraspeshë në mes udhëzimit të tij dhe gjendjes së muslimanëve në këtë kohë, një udhëzim (Kur’anin) që, fatkeqësisht, e kanë lënë pas dore, duke mos ndjekur traditën e të parëve, të cilët ishin shumë të lidhur për mësimet e tij. Në këtë tefsir kam përdorur shprehje të lehta, duke iu shmangur përzierjeve të fjalëve me terminologjinë shkencore, në mënyrë që edhe masat e gjera ta kuptojnë, por në të njëjtën kohë është tefsir për të cilin kanë nevojë edhe specialistët e këtij lëmi. Kjo është metoda që ka ndjekur gjatë ligjërimeve të tij në Az-har, urtaku i Islamit, profesori i madh Muhamed Abduhu.”- (nënshkruar nga - Muhammed Reshid Ridaja – themeluesi i “El-Menarit”).[13]

Ndërsa në parathënien e këtij tefsiri, Muhammed Reshid Rida do të konstatojë: “Për fat të keq të muslimanëve, shumica e librave që janë shkruar në lëmin e tefsirit, e kanë larguar lexuesin nga qëllimet më të larta kuranore. Shumë prej këtyre librave i preokupuan besimtarët me studime gjuhësore dhe sintaksore, me terminologji të ndryshme, me dialogje shterpë mes tradicionalistëve dhe mutekel-liminëve, me nxjerrje të dispozitave nga fukahenjtë imitues, me sqarime të mjegulluara të sufinjve, me fanatizëm të fraksioneve dhe drejtimeve të ndryshme. Fatkeqësisht, shumë prej këtyre tefsireve hutojnë lexuesin me transmetime të rrëfimeve e legjendave hebreje, prandaj ishte nevojë e domosdoshme që të shkruhej një tefsir si ky, që do të merrej kryesisht më qëllimin më madhështor me udhëzimin e vërtetë kuranor, ajetet e të cilit në fakt edhe synojnë këtë…Qëllimi im kryesor me këtë tefsir është ofrimi i mundësisë për ta kuptuar Librin e Zotit (Kur’anin) duke dhënë sqarime se kjo fe është udhëzuese për mbarë njerëzimin për të arritur lumturinë e tyre si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër-Ahiret.”[14] .

Muhammed Reshid Rida tefsirin e tij e fillon nga kaptina e parë e Kur’anit-“El Fatiha” dhe e përfundon me komentimin e ajetit 101 të kaptinës Jusuf”.[15]

رَبِّ قَدْ آتَيْتَنِي مِنْ الْمُلْكِ وَعَلَّمْتَنِي مِنْ تَأْوِيلِ الأََحَادِيثِ فَاطِرَ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ أَنْتَ وَلِيِّ فِي الدُّنْيَا وَالآخِرَةِ تَوَفَّنِي مُسْلِمًا وَأَلْحِقْنِي بِالصَّالِحِينَ

(Pasi iu plotësua dëshira, Jusufi tha:) Zoti im, Ti më ke dhënë mua pushtet, më mësove komentimin e ëndrrave; o Krijues i qiejve e i Tokës, Ti je kujdestar imi në dynja e në Ahiret, më bëj të vdes musliman dhe më bashko me të mirët”.

Metoda dhe mënyra e komentimit të Kur’anit nga Ridaja

Pas vdekjes së Abduhusë, Ridaja ndryshoi paksa metodën e komentimit, për se flet në parathënien e tefsirit të tij. Në fakt ai flet për disa ndryshime nga metoda që preferonte Abduhuja, si:

  1. Ridaja më shumë u përqendrua në komentimin tradicional të ajeteve me ajete;
  2. Më shumë solli për argumentim hadithe të vërteta sesa Abduhu;
  3. Më shumë u përqendrua edhe në komentimet shtesë gjuhësore-gramatikore, për të cilat konsideronte se ishin të domosdoshme;
  4. Disa tema të caktuara, për të cilat konsideronte se ekziston nevoja e vlerësimit të tyre i elaboronte më gjerësisht, etj.

Mirëpo, megjithë këto ndryshime nga metoda e Abduhusë, mënyra e komentimit të tij prapë mbetet shumë e përafërt me atë të Abduhusë, kështu që me plot të drejtë llogariten si përfaqësues të së njëjtës shkollë të komentimit, pra atij racional-shkencor.

Sikur Abduhu, edhe Reshid Ridaja nuk dëshironte ta komentonte Kur’anin nën presionin e trashëguar të mufesirëve para tij, madje disa nxënës të tij thonë se ai fillimisht një ajet të caktuar e komentonte vetë sipas dijes së tij personale, e vetëm pastaj konsultonte mendimet e mufesirëve para tij. Ishte shumë i kënaqur nëse zbulonte ndonjë segment të ri komentimi, që nuk ishte prekur më parë nga ndonjë mufesir. Ndodhte, veçse shumë rrallë, që ta radhiste si shembull edhe mendimin e ndonjë komentuesi tjetër.

 

Karakteristikat e “Tefsirul Menar”

Vijat që e karakterizojnë këtë tefsir janë:

- Ky tefsir përmban shumë transmetime autentike nga ashabët dhe tabiinët;

- Është i shkruar me një stil të rrjedhshëm të gjuhës arabe;

- Në të ka sqarime rreth shumë dispozitave fetare;

- Ajetet i sqaron me një metodë të mrekullueshme, mesazhi i të cilëve kuptohet lehtë nga çdo lexues;

- Ridaja në “Tefsirul Menar” thekson shumë prej problemeve shoqërore, duke theksuar se kthimi i vërtetë në mësimet e Kur’anit është zgjidhja më fatlume për muslimanët dhe tërë njerëzimin;

- U shmangej israiliateve (rrëfimeve me motive hebreje), pothuajse tërësisht;

- Nuk sillte për argumentim ndonjë hadith jo të sigurt, nuk hynte në detaje të panevojshme për të cilat nuk ka shenjë në ajetet kuranore, siç kanë vepruar shumë mufesirë para tij, në komentim nuk i radhiste gjërat që nuk ishin në lidhje të drejtpërdrejtë me ajetin kuranor, përkundrazi, ajetet i komentonte në një mënyrë shumë tërheqëse, të thjeshtë dhe shumë të kuptueshme. Shprehjet e vështira kuranore, i sqaronte në mënyrë të argumentuar dhe bindëse, jepte përgjigje lidhur me disa dyshime rreth Kur’anit, të cilat i lanconin armiqtë e Islamit. Reshid Ridaja thoshte vazhdimisht se Kur’ani është shpallur si udhërrëfyes, se Kur’ani mund të shërojë shumë sëmundje shoqërore të botës bashkëkohore etj;

- Ridaja në tefsirin e tij ndoqi edhe një metodë shumë tërheqëse, duke i bërë pyetjet për të dhënë pastaj përgjigje në mënyrë shumë të përpiktë rreth shumë çështjeve që preokuponin shoqërinë e atëhershme muslimane;

- Gjatë shtjellimit të çështjeve akaidologjike, tek Ridaja shohim ndikimin e madh të Ibn Tejmijes, Ibn Kajjim el Xhevzijes dhe të Ibn Kethirit, për të cilët ndjente respekt të veçantë;

- Tefsiri i Ridasë, edhe pse ka mbetur përgjysmë, hyn në kategorinë e tefsireve të mëdha e të gjata. Një vëllim i tij ngërthen përafërsisht 500 faqe, kurse tërë tefsiri rreth 6000 faqe të shkruara.

 

Burimet mbi të cilat u mbështet Ridaja gjatë komentimit

Sa i përket burimeve mbi të cilat u mbështet Ridaja gjatë komentimit të Kur’anit, ato mund të përmblidhen në disa sosh:

  1. Disa ajete i komentonte me ajete të tjera, natyrisht kur është fjala për një temë të caktuar;
  2. Më shumë shfrytëzonte hadithe, duke pasur kujdes që të përdorte vetëm hadithe të vërteta;
  3. Sillte mendimet e ashabëve dhe të tabiinjve të njohur;

4, Gjatë komentimit të disa shprehjeve kuranore shfrytëzonte disiplina gjuhësore;

  1. Shumë prej ajeteve i komentonte sipas dijes së tij personale, sepse nuk dëshironte të ishte imitues dhe peng i komentimeve të mëhershme, përveç kur komentimet e mufesirëve të mëhershëm ishin të njëjta me mendimet dhe qëndrimet e tij.

 

Disa vërejtje për tefsirin e Ridasë

Sikur edhe përfaqësuesit e tjerë të shkollës racionaliste të Abduhusë, edhe Ridaja i jepte hapësirë të madhe mendjes, dhe herë-herë liri të tepruar, gjatë komentimit të disa ajeteve. Ai në disa raste shihet se ishte nën ndikimin e drejtpërdrejtë të ideve të Abduhusë, i cili njihet si ithtar i shumë mësimeve mu’tezilase.

Më poshtë do të cekim vërejtjet e dijetarëve islamë në lidhje me disa nga qëndrimet e Ridasë për çështje të caktuara.

 

- Qëndrimi i Reshid Ridasë ndaj përkthimit të Kur’anit në gjuhë të huaja

Është interesant të theksohet se Ridaja ishte kundërshtar i rreptë që Kur’ani të përkthehej në gjuhë të huaja, për se kishte folur gjerësisht edhe në tefsirin e tij. Rreth kësaj çështjeje, dijetarët e kohës kishin mendime të ndryshme, disa e lejonin e disa e kundërshtonin, e prej këtyre të fundit ishte edhe Ridaja. Arsyetimi i tij ishte se Kur’ani është e pamundur të përkthehej tekstualisht (fjalë për fjalë), dhe se përkthimi i domethënieve të tij do të ishte në fakt përkthim i kuptimeve personale të atij që do ta përkthente Kur’anin. Ridaja mendonte se me përkthimin e Kur’anit, do të humbte mrekullia kuptimore e domethënieve të tij. Mund të thuhet se Ridaja deri-diku kishte të drejtë, sepse përkthimet e deriatëhershme të Kur’anit ishin aq të zbehta dhe ishin shumë larg origjinalit, madje disa ishin të përkthyera gabimisht, për qëllime tendencioze, vetëm e vetëm që të zbehej përmbajtja e tij hyjnore.

Duhet theksuar se mendimi i Ridasë dhe i dijetarëve që ishin kundër lejimit të përkthimit të Kur’anit në gjuhë të huaja, ishte mendim i një grupi të vogël dijetarësh, sepse shumica dërrmuese e tyre lejonin një gjë të tillë, natyrisht nëse respektohen disa kritere të rrepta ndër të cilat edhe kriteri që këto përkthime të mos quhen përkthime të Kur’anit, po përkthime të domethënieve të Kur’anit. Qëndrimi i këtyre dijetarëve shumicë është se madje është obligim që Kur’ani të përkthehet në gjuhë të ndryshme të botës, në mënyrë që shumë popuj të njihen me Shpalljen hyjnore dhe të përfitojnë nga ajo.

 

- Qëndrimi i Ridasë ndaj marrësit të kamatës

Kur Ridaja komenton ajetin 275 të kaptinës “El-Bekare”:

الَّذِينَ يَأْكُلُونَ الرِّبَا لاَ يَقُومُونَ إِلاَّ كَمَا يَقُومُ الَّذِي يَتَخَبَّطُهُ الشَّيْطَانُ مِنَ الْمَسِّ ذَلِكَ بِأَنَّهُمْ قَالُواْ إِنَّمَا الْبَيْعُ مِثْلُ الرِّبَا وَأَحَلَّ اللّهُ الْبَيْعَ وَحَرَّمَ الرِّبَا فَمَن جَاءهُ مَوْعِظَةٌ مِّن رَّبِّهِ فَانتَهَىَ فَلَهُ مَا سَلَفَ وَأَمْرُهُ إِلَى اللّهِ وَمَنْ عَادَ فَأُوْلَـئِكَ أَصْحَابُ النَّارِ هُمْ فِيهَا خَالِدُونَ

“Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrehen ndryshe pos siç ngrehet i çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu, ngase thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, po njësoj si edhe kamata!” e Allahu e ka lejuar shitblerjen, kurse e ka ndaluar kamatën. Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalur (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet tek Allahu, e kush e përsërit (të ngrënët e kamatës pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbeten përgjithmonë”,

Ai këtu kundërshton mendimin e Ehli-Synetit dhe pohon me vendosmëri se autori i mëkatit të madh si “marrësi (ngrënësi) i kamatës”, nëse vdes pa u penduar, do të jetë përherë në zjarrin e Xhehennemit.

Ndër të tjera, në lidhje me këtë, ai thotë: “Imani formal nuk ka vlerë tek Allahu, sepse Allahu nuk i shikon fizionomitë dhe fjalët e njerëzve, po i shikon zemrat dhe veprat e tyre. Mendimi i Ehli-Synetit për këta mëkatarë është i butë dhe kjo ka bërë që njerëzit të nxiten e të trimërohen për të kryer mëkate, edhe pse të gjithë e pranojnë se këto vepra janë prej mëkateve të mëdha. Nuk janë të rralla rastet tek dëgjojmë njerëz që thonë: “Unë jam besimtar, nuk e mohoj se e marr kamatën dhe e pranoj se ajo është haram!”. Kjo është tragjedia më e madhe, thotë Ridaja, sepse, po t’u pritej rruga këtyre të këqijave, sigurisht se rastet e tilla do të ishin tejet të rralla.”[16]

Një vërejtje tjetër që i drejtohet Reshid Ridasë, është se ai, gjatë komentimit, disa ajete i komenton në mënyrë alegorike dhe metaforike, edhe pse kuptimi i tyre sipërfaqësor është mjaft i qartë dhe i kuptueshëm. P.sh. gjatë komentimit të ajetit 47 të kaptinës “En-Nisa’ë”:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ أُوتُواْ الْكِتَابَ آمِنُواْ بِمَا نَزَّلْنَا مُصَدِّقًا لِّمَا مَعَكُم مِّن قَبْلِ أَن نَّطْمِسَ وُجُوهًا فَنَرُدَّهَا عَلَى أَدْبَارِهَا أَوْ نَلْعَنَهُمْ كَمَا لَعَنَّا أَصْحَابَ السَّبْتِ وَكَانَ أَمْرُ اللّهِ مَفْعُولاً

“O ju që ju është dhënë libri, besojeni atë që e zbritëm (Kur'anin) e që është vërtetues i atij që e keni (Tevratit), para se të deformojmë fytyrat tuaja (t'ua fshijmë shqisat) dhe t'i rrotullojmë ose t'i mallkojmë ata si i mallkuam ata të së Shtunës. Urdhri i Allahut është i kryer.”,

ku Ridaja, kërcënimet e të Plotfuqishmit drejtuar pjesëtarëve të Ehli-kitabit (hebrenjve dhe të krisherëve), për deformimin-shfytyrimin e fytyrave të tyre, i komenton në mënyrë alegorike, shumë larg synimeve të ajetit në fjalë, duke thënë se ky është qortim figurativ e jo se mund të ndodhë në të vërtetë!

 

- Qëndrimi i Ridasë ndaj sihrit-magjisë

Kur është fjala për sihrin, Ridaja kundërshton Ehli-Synetin duke thënë se sihri (magjia) nuk është realitet, po është vetëm një mashtrim optik-vizual. Pra, shihet se në këtë aspekt pason Abduhunë dhe dijetarët e mu’teziles, të cilët kategorikisht mohuan ekzistimin e sihrit dhe realitetin e tij.

Këtë e vërejmë gjatë komentimit të ajetit të 7 të kaptinës “El-En’am” :

وَلَوْ نَزَّلْنَا عَلَيْكَ كِتَابًا فِي قِرْطَاسٍ فَلَمَسُوهُ بِأَيْدِيهِمْ لَقَالَ الَّذِينَ كَفَرُوا إِنْ هَذَا إِلاّ سِحْرٌ مُبِينٌ

 “Edhe sikur të të zbritnim ty një libër të shkruar në letër; e ta preknin atë me duart e tyre, ata që mohuan do të thoshin: kjo nuk është gjë tjetër veçse një magji e qartë”,

kur thotë: “ajeti tregon qartë se sihri-magjia është një sugjestion dhe mashtrim optik, sepse personi sheh diçka vizuale që në realitet nuk ekziston fare.[17]

Kur flet për ndikim e shejtanit tek njeriu, Ridaja me këmbëngulje pohon se ndikimi i tij në njeriun është shumë i kufizuar, vetëm me lajthitje dhe vesvese, por ata në asnjë mënyrë nuk mund të mbizotërojnë tek njeriu fizikisht, për të ndikuar në veprimet e tij.

Madje Ridaja shkon edhe më larg kur thotë se exhinët në asnjë mënyrë nuk mund të shihen nga njerëzit, ani pse dijetarët e Ehli-Synetit thonë se exhinët mund të shihen në situata të ndryshme dhe në forma të ndryshme, kur personifikohen.

 

- Qëndrimi i Ridasë ndaj mrekullive të Pejgamberit a.s.

Në këtë çështje shohim se Ridaja shkon aq larg, saqë pohon se mrekullia e vetme e Muhammedit a.s. ishte Kur’ani, dhe ai në thelb mohon mrekullitë lëndore dhe shqisore të Pejgamberit a.s. Fjala vjen, ai mohon ndarjen e Hënës në dy pjesë me rastin e kërkesës së kurejshitëve, për t’u sjellë ndonjë argument, edhe pse këtë gjë e vërtetojnë shumë hadithe të vërteta.

Për shumë këto mrekulli, ai thotë se ishin vetëm si shenjë nderimi, dhe se hadithet që cekin këto mrekulli, nuk janë të sakta dhe autentike (mutevatir)!!![18]

 

- Qëndrimi i tij ndaj israiliateve

Muhamed Reshid Ridaja ishte prej atyre që më së ashpri kritikuan mufesirët e mëparshëm për futjen e israiliateve nëpër tefsiret e tyre. Mirëpo, Ridaja këtu bën një gabim, kur rreth ngjarjeve të së kaluarës sjell citate nga Tevrati (Dhjata e vjetër) dhe ato i merr si argumente, ani pse dihet që Tevrati, i cili sot gjendet në duart e hebrenjve, është libër në të cilin nuk bën të mbështetemi për shkak të devijimeve dhe falsifikimeve të qarta në faqet e tij. Dallimi i qëndrimeve të tij nga mufesirët e tjerë është se ky ato tregime i citon tekstualisht nga Tevrati!!!

Sipas mendimit të tefsirologut të madh bashkëkohor Dr. Dhehebiut, Ridaja, ani pse në shumë vende me plot të drejtë i refuzon disa israiliate, gabimin më të madh e bën kur kërkon që rrëfimet e tilla të krahasohen me tekstet e Tevratit që sot gjendet në duart e hebrenjve. Sipas Ridasë, çdo israiliat që nuk përputhet me Tevratin, është gënjeshtër dhe pa bazë!!![19]

Sa për ilustrim, do të sjellim disa shembuj të tillë të argumentimit ku ai bën lajthitje:

P.sh. Muhamed Ridaja, kur vjen te tregimi rreth Ademit a.s. në kaptinën “El A’raf”, thotë: “Kush dëshiron të dijë mbi rrëfimet e vërteta israiliate, për të cilat pajtohen ithtarët e librave qiellorë, le të kthehet në Tevrat në “Librin e Gjenezës” që ta shohë dallimin në mes asaj që ka ardhur në Tevrat dhe asaj që gjendet nëpër tefsiret tona. Nga ato që rrëfehen nëpër tefsiret tona dhe detajet rreth tregimit mbi Ademin a.s., shumica janë të pavërteta dhe gënjeshtra!” [20]

Është po ashtu mjaft e çuditshme dhe kontradiktore qasja tjetër e Ridasë në “Tefsirul Menar”, kur në shumë vende bën krahasime të tilla me Tevratin, madje edhe duke pohuar se disa pjesë (citate) të Tevratit janë komentet më autentike për disa ajete kuranore!!! Një të tillë kemi kur ai e komenton ajetin 133 të kaptinës El A’raf :

فَأَرْسَلْنَا عَلَيْهِمْ الطُّوفَانَ وَالْجَرَادَ وَالْقُمَّلَ وَالضَّفَادِعَ وَالدَّمَ آيَاتٍ مُفَصَّلَاتٍ

فَاسْتَكْبَرُوا وَكَانُوا قَوْمًا مُجْرِمِينَ

“Atëherë (për shkak të mohimit) Ne lëshuam kundër tyre (faraonit dhe popullit të tij): vërshimin, karkalecat, rriqrat (insekte dëmtuese), bretkosat dhe gjakun, fakte të qarta njëri pas tjetrit, po ata bënin kokëfortësi sepse ishin popull mëkatar.”

Gjatë komentimit të këtij ajeti, shohim se ai transmeton disa rivajete të disa mufesirëve të mëhershëm në lidhje me vërshimin si ndëshkim ndaj faraonit, dhe thotë: “E vetmja gjë që mund të pranohet prej këtyre rivajeteve, është komentimi gjuhësor i Ibni Abbasit në lidhje me fjalën “tufan”, që do të thotë “përmbytje-vërshim nga shiu”, kurse të gjitha komentimet e tjera konsiderohen si israiliate të pabaza. Ajo që duhet të pranohet në këtë rast e që nuk është Kur’an, është tregimi në “Librin e Ekzodit” në Tevrat, i cili e përshkruan më së miri dhe besnikërisht këtë vërshim”!!![21]

Pastaj, kur e komenton ajetin 18 të kaptinës “Jusuf”:

َجَاءُوا عَلَى قَمِيصِهِ بِدَمٍ كَذِبٍ قَالَ بَلْ سَوَّلَتْ لَكُمْ أَنفُسُكُمْ أَمْرًا فَصَبْرٌ جَمِيلٌ

وَاللَّهُ الْمُسْتَعَانُ عَلَى مَا تَصِفُونَ

“E erdhën (vëllezërit e Jusufit dhe i sollën Jakubit) këmishën e tij me gjak të rrejshëm. Ai tha: Jo (nuk e ka ngrënë ujku), por epshet tuaja ua hijeshuan punën. Halli im është durim i mirë. Allahu është Ai nga i cili kërkohet ndihmë për këtë që përshkruani ju”.

Ridaja në përfundim të komentimi të këtij ajeti thotë: “Kjo është pjesa e parë e ngjarjes së Jusufit, e vërtetë, e pastër dhe e saktë. Mjerisht këtë ngjarje e kanë shëmtuar transmetuesit e legjendave dhe të israiliateve të ndryshme duke gënjyer se gjoja janë sqarime të Tevratit, por ai që dëshiron të dijë më tepër rreth ngjarjes së Jusufit a.s., le të lexojë “Librin e Gjenezës” që të shohë dallimin mes fjalëve të Allahut, të cilat gjenden në “Librin e Gjenezës”, dhe shpifjeve të njerëzve!!![22]

Ishin këta disa nga shembujt e cituar nga “Tefsirul Menar” i Reshid Ridasë në lidhje me israiliatet dhe lajthitjen e tij, ku, duke u përpjekur për t’i demaskuar tregimet e hebrenjve të cituara në tefsiret e mëparshme, pa nevojë nxit të tjerët të kthehen për argumentim në Tevratin e devijuar, i cili gjendet në duart e çifutëve. Kjo dhe çështjet e tjera të lartpërmendura, në një masë të konsiderueshme ia kanë zbehur vlerën e mirëfilltë këtij tefsiri.

 

Fjala përfundimtare rreth tefsirit të tij

Pavarësisht nga tërë ajo që u tha për tefsirin e Ridasë, megjithatë duhet të themi se ky tefsir është shumë i vlefshëm dhe se pati një ndikim të madh në rrjedhat e gjithmbarshme historike të popujve muslimanë gjatë gjysmës së parë të shek. XX, atëherë kur ata pothuajse në tërësi ishin në një prapambeturi totale dhe kryesisht nën okupimin e kolonialistëve të huaj. Me tefsirin e tij, Ridaja kuntribuoi dukshëm në mbrojtjen e Islamit prej sulmeve të jashtme, pastaj theu shumë qëndrime fyese të Perëndimit ndaj Kur’anit e shenjtërisë së tij, dhe ringjalli shpresat për një rizgjim të madh të muslimanëve nga letargjia shekullore që i kishte kapluar.

Gjatë leximit të këtij tefsiri, mund të hetojmë shtrirjen e idesë qendrore që masave të gjera të popullit duhet t’u bëhet me dije se Islami është feja e vërtetë, e cila është e vlefshme për të gjitha kohët, për çdo vend, për çdo rrethanë dhe situatë. Ky tefsir lirisht mund të konsiderohet si një enciklopedi e vërtetë e pikëpamjeve bashkëkohore islame, përjashtuar disa mendime që janë në kundërshtim me mendimet e Ehli-Synetit.

Tefsiri i Ridasë, më saktësisht komentimet e tij deri në ajetin e lartpërmendur (101 të kaptinës “Jusuf”), u shtypën në 12 vëllime të mëdha (6000 faqe), të cilat sot e kësaj dite lexohen me ëndje nga të gjithë dijetarët dhe studiuesit e Islamit në botë.

Allahu e mëshiroftë!

 -------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

[1] Dr. Abdullah Shehate "Ulumu-t-Tefsir", fq. 203, Kajro 2001

[2] http:// www.asharqalarabi.org.uk/center/rijal-rashid.htm

[3] Dr. Abdul Mun’im en-Nimr “Ilmu-t-tefsir” fq. 132, Kajro 1985.

[4] Dr. Muhammed Husejn Edh-Dhehebi “Et-Tefsir vel mufessirune” vëll. II, fq. 550, Kajro 1985

[5] http://www.habous.gov.ma/daouat-alhaq/item/2166

[6] http:// www.asharqalarabi.org.uk/center/rijal-rashid.htm

[7] http://www.islamonline.net/Arabic/history/1422/08/article13.shtml

[8] “Et-Tefsir vel mufessirune” fq. 550-551

[9] Idetë reformiste të Afganit, Abduhusë dhe sidomos të Ridasë kishin bërë jehonë edhe në trevat tona shqiptare, kështu që shohim se Hfz. Ibrahim Dalliu, hfz. Ali Korça, dhe dijetarë të tjerë shqiptarë që vepronin në Stamboll kishin mbajtur korrespondencë të vazhdueshme me ta. (S.B.).

[10] http://ikhwanonline.net/Article.asp?ID=2150&SectionID=456

[11] http://www.islamonline.net/Arabic/history/1422/08/article13.shtml

[12] “Et-Tefsir vel mufessirune”, vëll. II, fq. 551

[13] "Ulumu-t-Tefsir", fq. 204-205.

[14] Muhammed Reshid Rida “Tefsirul Menar” , vëll. I, fq, 17, Kajro 1978.

[15] Mennaul Kattan “Mebahith fi Ulumil Kur’an”, fq. 383, Kajro 1995.

[16] “Tefsirul Menar” vëll. III , fq.98-99

[17] .“Tefsirul Menar” vëll. VII  fq. 311

[18] .“Tefsirul Menar” vëll. XI fq. 333

[19]  Dr. Muhammed Husejn edh-Dhehebi - “El Israilijat fi-t- tefsiri vel hadithi”, fq.156, Kajro 1986.

[20] “Tefsirul Menar”, vëll. 8, fq. 255-256

[21] “Tefsirul Menar” , vëll. 9. fq. 90

[22] “Tefsirul Menar”, vëll. 12. fq. 267-269

Kryesia e BIRK - ut

Bislame.net

Dituria Islame

Tanzil.net

Online

Kemi 4 miq dhe s'ka antarë në linjë

Kalendari

الثلاثاء 9 رمضان 1445
E martë Ramadan 9 1445
E martë Mars 19 2024

Koloset e tefsirit

IMAGE Shihabud-din Mahmud el Alusi (1217 h.-1270 h)
E mërkurë, 09 Dhjetor 2015
Shihabud-din Mahmud el Alusi (1217 h.-1270 h) dhe tefsiri i tij  “RUHUL MEANI FI TEFSIRIL KUR’ANI-L ADHIM VE-S-SEB’IL METHANI”    ... Read More...
IMAGE Muhammed Reshid Rida
E mërkurë, 09 Dhjetor 2015
Muhammed Reshid Rida dhe tefsiri i tij TEFSIRUL KUR’ANIL HAKIM i njohur si “TEFSIRU-L-MENAR”   Muhammed Reshid Ridaja i takon plejadës së... Read More...
IMAGE Kadi el Bejdaviu
E mërkurë, 09 Dhjetor 2015
Kadi el Bejdaviu dhe tefsiri i tij “ENVARU-T-TENZILI VE ESRARU-T-TE'VILI”   Biografia e tij Emri i tij i plotë është Abdullah ibn Umer ibn... Read More...

Sabri Bajgora -Hytbeja e Kurban-Bajramit 2011