Kur`ani dhe Shkenca
“Ne atyre (mohuesve) do t’ua dëftojmë argumentet tona në horizonte, si dhe në vetveten e tyre, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ky (Kur’an) është i vërtetë. Vallë a nuk të mjafton ty që Zoti yt është dëshmues i çdo gjëje “ (Fussilet 53)
Islami si mesazhi i fundit hyjnor drejtuar njerëzimit, riktheu në mënyrën më madhështore nderin dhe dinjitetin e përdhosur me shekuj të qenies njerëzore. Konfirmoi vlerat e mirëfillta të tij duke e sjellur atë në piedestalin, që në realitet edhe e meriton si qenie, të cilës Allahu i Plotfuqishëm ia besoi mëkëmbësinë e Tij në tokë.
S’ka dyshim se Krijuesi i Gjithësisë e dalloi njeriun nga të gjitha krijesat tjera me dhuntinë e të menduarit dhe të të logjikuarit, e mendja si bazë dhe themel i mësimit dhe arsimimit, sipas Islamit është instrumenti më i fuqishëm për realizimin e aspiratave dhe idealeve njerëzore. Ajo është dhurata më e çmueshme dhe më madhështore e Zotit, që njeriun e lartësoi mbi të gjitha krijesat e gjalla në tokë. Nisur nga ky fakt, njeriu duke shfrytëzuar këtë dhunti hyjnore arriti kulturë dhe qytetërim. E qytetërimet mbesin të përjetshme për aq sa ato i ofrojnë njerëzimit gjurmë që nuk zhduken as treten në çdo lëmë qoftë; shkencore, morale a materiale.
S’ka dyshim se Islami është një fe vizionare, gjithpërfshirëse, vizioni i së cilës është relevant për çdo aktivitet dhe për çdo përpjekje njerëzore, qoftë fizike, shpirtërore, shoqërore, ekonomike, politike a kulturore.
Islami i dha impulse të reja invencionale dhe kreativitet mendimit njerëzor. Muslimanët, të prirë nga ndjenjat arsimdashëse, burimin inspirativ të të cilave e gjenin përherë në ajetet kuranore, e kuptuan shumë drejt porosinë e Allahut xh.sh. Ajetet e shumta që flasin për diturinë dhe për dijetarët, inspiruan mendjet më të ndritura islame që të shkruajnë me penat e tyre vepra e vepra të çmuara e të vlefshme, që për shumë shekuj me radhë shërbyen si literatura burimore për shkencën e atëbotshme botërore.
Është e pamohueshme se qytetërimi dhe kultura islame luajtën një rol kyç dhe determinant në historinë e progresivitetit njerëzor, duke i dhuruar njerëzimit kulturë, dije e shkencë. Këto vepra të tyre të shkruara në lëmenj të ndryshëm shkencorë si nga lëmi i medicinës, filozofisë, logjikës, astronomisë, fizikës, kimisë dhe matematikës, edhe sot, me një admirim e respekt të thellë lexohen dhe vlerësohen lartë nga studiuesit e ndryshëm shkencorë.
* * *
Para se të hyjmë në një elaborim më të thukët të temës në fjalë, është e udhës që të njihemi më për së afërmi me vetë Kur’anin, si fjalë e zbritur e Allahut, se ç’përmban ky libër i shenjtë, a është libër thjesht legjislativ për vënien e normave të jetës njerëzore apo është edhe libër që nxit në zbulimin e shumë sekreteve të kësaj ekzistence, të cilën mjerisht ende fare pak e njohim. Çuditërisht shumë gjëra që na rrethojnë, shumë procese qe ndodhin në ne dhe rreth nesh, ende janë të mbuluara me perden e fshehtësisë dhe janë ende të pakapshme për mendjet tona.
Kur’ani pa dyshim është fjalë e Allahut - Kelamullah, i cili në formë të shpalljes iu dërgua Muhammedit a.s. përgjatë 23 viteve, me qëllim që njerëzimin ta nxjerrë nga errësira dhe injoranca, për ta shpënë në dritën e së vërtetës.
Mendimi kuranor është shumë i gjerë, i thellë, universal dhe analizuar nga çdo aspekt i pashterrshëm. Ai me bukurinë e të shprehurit, me thellësinë e mendimit në zbërthimin dhe shpjegimin e të gjitha çështjeve që ngërthen në vete, paraqet vlerën mbinjerëzore, dhe si i tillë për muslimanët ka qenë, është dhe do të mbetet mendim i gjallë i realitetit nga njëra anë, dhe fuqi nxitëse e zhvillimit e të thellimit të mendimt kreativ në jetën e tyre të përditshme nga ana tjetër.
Porosia e parë e Zotit drejtuar njerëzimit që të lexojnë, të mësojnë e studjojnë, nuk ishte as e rastit e as spontane, por përkundrazi ajo kishte qëllim të caktuar dhe domethënie të thellë.
Kur’ani me këto porosi universale hapi rrugë e shtigje të reja që njeriu të përsosot sa më tepër nga aspekti i diturisë , sepse qëllimin final të jetës - afrimin pranë madhështisë së Allahut xh.sh. e dinë më së miri dijetarët e ndërgjegjshëm e të sinqertë, të cilët Kur’ani i ngrit në piedestalin më të lartë të njerzshmërisë.
Gjuha e Kur’anit është një gjuhë e qartë, e përsosur dhe e kuptueshme. Ajo shquhet për nga stili, struktura dhe për nga saktësia e konciziteti i shprehjes, duke i tejkaluar aftësitë e njeriut të rëndomtë sepse është fjalë e Zotit, e fjala e Tij nuk mund të ketë model imitues.
Vërtet kushdo që i qaset dhe studjon Kur’anin famëlartë me bindje, realisht, me vëmendje të themeltë dhe precizitet, i liruar nga obsesionet dhe botëkuptimet e errëta, do ta zbulojë një thesar të artë dhe do ta kuptojë realitetin shpirtëror, kuluror e qytetërues.
Kur’ani në fakt nuk është libër shkencor, i cili apriori zhvillon zbulimin e diciplinave shkencore, por në radhë të parë është Libër i Allahut, të cilin e shpalli krijuesi i botëve, prandaj është e natyrshme dhe mjaft e logjikshme që Allahu flet për krijimin, rregullimin preciz të ekzistencës, duke provokuar kështu intelektin njerëzor në meditim të thellë kur thotë:
“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt”
Kur’ani famëlartë flet për faktet dhe fenomenet shkencore, një nga një, ndonjëherë qartë dhe me precizitet të paparë, e nganjëherë në formë alegorike e metaforike. Kur’ani flet për krijimin e kozmosit, që nga forma e tij si mjegullirë e zjarrtë, pastaj flet mbi galaktikat, yjet, planetet, sistemin diellor, tokën, për hënën me etapat e saj, mbi krijimin dhe etapat e zhvillimit embrional, llojet e botës bimore dhe shtazore, rrotullimin e tokës rreth boshtit të saj dhe rreth diellit etj.
Ata të cilët pohojnë se Kur’ani nuk ka ardhë si libër që ka të bëjë ekskluzivisht vetëm me shkencë, kanë të drejtë, sepse në radhë të parë ai është libër hyjnor i cili erdhi që të na mësojë rregullat e besimit e të adhurimit të drejtë në Allahun xh.sh., e nuk erdhi që të na e mësojë astronominë, gjeografinë, kiminë, biologjinë apo embriologjinë, megjithatë, në të njëjtën kohë, kur pohojnë se Kur’ani përmendi disa mrekulli, të cilat shkenca ende nuk ka arritur t’i zbulojë deri më sot, kjo poashtu është e vërtetë.
Kur’ani, edhe pse nuk erdhi fjala vie të na mësojë shkencën e embriologjisë, ai vjen dhe prek një çështje që ka të bëjë me embriologjinë dhe na informon detajisht për të, ndërsa shkenca e embriologjisë arrin tek ajo vetëm pas një hulumtimi dhe studimi prej qindra e ndoshta edhe mijëra vitesh. Kjo vlen edhe për shkencat tjera të kësaj bote.
Shkenca është masë e realizueshme e cila pohohet me fjalë, argumentohet me fakte dhe realizohet në praktikë, e meqë Allahu është krijues i të gjitha diturive, atëherë mesazhi i Kur’anit është vërtet shkencor dhe mund t’i bëjë ballë sfidës së shkencës në çdo kohë. Mesazhi i Zotit mëshirëplotë është i pagabueshëm dhe s’mund të imitohet nga njeriu . Revelata e Tij është një mrekulli që sfidon mbarë njerëzimin për të parë e provokuar vetën e tyre.
Çdo njeri në mënyrën e vet i qaset, e përjeton, e hulumton dhe e zbulon Kur’anin, ndërsa rezultati iu del gjithnjë i njejtë. Të gjithë e pranojnë atë fuqi të fshehtë, magjepse e tërheqëse e cila e karakterizon fjalën e Allahut. Besimtarët e sinqertë në të gjejnë ushqimin e tyre shpirtëror, ftesën, programin dhe ardhmërinë, ndërsa jobesimtarët në të hasin befasinë, fascinimin, habitjen dhe paaftësinë e tyre për ta imituar.
Kur’ani sipas formës përmbajtësore, bukurisë së të shprehurit dhe precizitetit të gjuhës, paraqet diç që nuk hyn në sferat e aftësisë njerëzore.
Ftesa e Kur’anit drejtuar njerëzimit përherë është e hapur dhe e pamposhtur dhe i tillë do të mbetet.Ai mbetet fjalë e Allahut, atribut i përhershëm i Tij, mesazh i përkryer dhe i përpikët, i çliruar nga çdo kundërthënie dhe kontradiktë.
Autenticiteti i Kur’anit nuk le asnjë dyshim sa i përket pastërtisë, koherencës, harmonisë dhe kontinuitetit kuptimor, origjinalitetit dhe tërësisë së tekstit të tij.Njëra ndër karakteristikat kryesore të Kur’anit famëlartë është se ai nuk i takon tipit statik, por është urtësi dinamike, që provokon mendjen dhe gjallëron zemrën. Në këtë urtësi ka një dinamizëm të fortë e penetrues, një fuqi lëvizëse e cila pandërprerë e nxit njeriun të studiojë, hulumtojë, zbulojë gjithëçka ka në këtë tokë , në detëra dhe gjithësi, që të kuptojë sekretet e tyre dhe të nxjerr thesaret e tyre. Me një fjalë dinamizmi depërtues i Kur’anit është madhështor dhe i parezistueshëm.
Kur’ani famëlartë pa ndërprerë na këshillon dhe na porosit për të mësuar çdo shkencë, duke analizuar dhe kuptuar fenomenet e ndryshme që na rrethojnë përçark, siç shihet qartë nga ajetet në vijim:
“ A nuk i shikojnë devet si janë krijuar ? Edhe qiellin se si është ngritur ! Edhe kodrat se si janë vënduar ! Edhe tokën se si është shtruar !
* * *
Ne këtu nw kwtw kumtesw do të cekim shkurtimisht vetëm disa prej ajeteve të shumta shkencore në Kur’anin famëlartë, për të parë e hetuar vizionin largpamës të fjalës hyjnore, të cilat i paraprinë shumë zbulimeve shkencore të kohës më të re.
P.sh., kur meditojmë rreth fjalëve të Allahut xh.sh.
“ A nuk e shohin (dinë) ata të cilët nuk besojnë se qiejt dhe toka ishin të ngjitura e Ne i ndamë ato të dyja, dhe prej ujit krijuam çdo gjë të gjallë...”
shohim se Allahu xh.sh. me këto fjalë u drejtohet pabesimtarëve - atyre që janë të prirur për të mohuar çdo argument i cili shpie kah ajo se Gjithësia megjithatë e ka Kreatorin dhe krijuesin e vet. Ai, ua bën me dije të gjithëve se para ndoshta miliona viteve , Toka dhe Qiejt si dhe e tërë gjithësia ishin një masë e dendur dhe e përbashkët (retkan) , e cila masë i qe ekspozuar temperaturave të larta dhe shtypjeve e presioneve të hatashme gjë që shkaktoi një shpërthim të madh. Fjala “fe fetaknahuma” do të thotë ndarje me forcë e dy gjërave që përbëjnë një tërësi. Kjo është teoria kuranore e krijimit të ekzistencës që në gjuhën e e shkencës së astronomisë quhet “Big Bang” - “shpërthimi i madh”- sipas së cilës teori, pas eksplodimit kjo masë u shpërnda duke formuar kështu galaktikat, sistemet e ndryshme diellore, yjet dhe planetet e shumta, të cilat janë përherë në lëvizje dhe zgjerim e sipër.
Këtë gjë e pohon edhe Kur’ani famëlartë në ajetin :
“ Ne me forcën Tonë e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë. “
E pabesueshme! para 14 shekujsh, në Kur’an është përmendur teoria e “shpërthimit të Madh”, ndërsa në Mesjet nëpër Evropë mbretëronte bindja se Toka është një pllakë e rrafshtë që noton në ujë, e të cilën e mbajnë një ka i madh, një balenë apo katër elefantë të mëdhenj. Çfarë ironie !!!
Përderisa në mesjetë , kish digjte, vriste e prente njerëzit e shkencës Xhordano Brunon, Galileo Galileun etj, të cilët të ndikuar nga mësimet islame në Andaluzi (Spanjë) pohonin se Toka sillet rreth Diellit dhe se Dielli është qendra e sistemit tonë diellor, në Kur’an shpjegohet shumë qartë lëvizja e tokës dhe e gjithë trupave të tjerë qiellorë me një elegancë dhe graciozitet mahnitës.:
“ E i sheh kodrat dhe mendon se ato janë të palëvizshme, ndërsa ato lëvizin sikurse retë. (kjo është) mjeshtri e Allahut që përsosi çdo send, e Ai është hollësisht i njohur se çka punoni “
dhe :
“Çdo trup qiellor lëvizë (noton) nëpër orbitën e tij të përcaktuar”
Kjo gjithësi është e mbushur përplot me argumente shkencore, të cilat argumentojnë mbi ekzistimin e Zotit. Kjo nuk do të thotë se ne po përpiqemi të argumentojmë për vërtetësinë e Kur’anit me anë të shkencës, ngase në esencë Kur’ani vetë është mbikqyrës dhe garantues., e shkenca nuk është gjë tjetër përpos zbuluese e fuqisë së Allahut në këtë Univers.
Kur jemi tek shkencat embriologjike, vërtet do të impresionohemi me përshkrimin e këtyre etapave në Kur’anin fisnik, para madhështisë së të cilit u përkulën edhe mendjet më të ndritura shkencore të kohës sonë. Fjala është për prof. Kethy Moor, shef i Katedrës së Anatomisë dhe Embriologjisë në Universitetin e Torontos në Kanadë, njëherit edhe kryetar i Shoqatës kanadezo-amerikane për hulumtime embriologjike, të cilit pasi që ia lexuan këto ajete kuranore:
“Për Allahun, Ne krijuam njeriun prej një ajke (lëngu) e një balte, pastaj atë ajkë e bëmë (shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. më pas atë pikë ujë e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copëz mishi, e atë copëz mishi e shndërruam në eshtra dhe eshtrave ua mveshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I Lartë është Allahu më i Miri Krijues.” ,
ndër të tjera tha: “ Vërtet këto njohuri nuk mund të jenë njohuri të ndonjë njeriu të para 14 shekujve , sado gjenial të ketë qenë, por janë fjalë të larta dhe shpallje hyjnore”.
Madhështia e Kur’anit shihet edhe me faktin se të gjitha këto etapa embriologjike i emëroi me emra të veçantë, të theshtë, të kuptueshëm dhe preciz, ndërsa shkenca sot e kësaj dite nuk i ka emrat e përshtatshëm për këto etapa, por ato i ka klasifikuar me disa numra komplikativ dhe mjaft konfuz.
Mrekullia embriologjike në Kur’an nuk ka të sosur. Kur’ani madje përshkruan edhe tri cipat mbështjellëse të embrionit në ajetin:
“ Ai ju krijoi në barqet e nënave tuaja etapë pas atape, në tre mbështjellës të errët...”
Sipas fjalëve të shkencës të cilët zbërthyen këto fjalë kuranore, fjala është për:
1. Amnionin - Cipën e brendshme embrionale
2. Horionin - Cipën e jashtme embrionale, dhe
3. Sacus Vitellinus - Mbështjellësin e verdhë embrional.
Në Kur’an pos shumë ajeteve të cilat flasin rreth astronomisë, gjeografisë, biologjisë, etj, mund të hasim edhe në ajete të cilat kanë të bëjnë me fizikën atomike
( bërthamore), si fjala vie në ajetin 61 të kaptinës Junus :
“ Zotit tënd nuk mund t’i fshihet as sa grimca e as më e vogël se ajo e as më e madhe, por vetëm sa është evidentuar në librin e sigurt “
Në Kur’an përmendet se ekzistojnë pjesë edhe më të vogla se atomi, dhe kur Kur’ani flet për atomin, ai flet edhe për ato pjesë të cilat janë edhe më të vogla se atomi si protonet, elektronet, neutronet, mezotronet etj. Do të thotë, Kur’ani para 14 shekujve ka folur për një mrekulli të tillë, para se t’i zbulojë fizika atomike.
Ligjet e Zotit xh.sh. sundojnë çdo atom, ndërsa atomet janë lënda dhe themeli i ndërtimit, nga e cila ndërtohet e gjithë bota dhe gjithësia.
Në pamundësinë që në këtë punim të cekim shumë prej këtyre ajeteve që kanë të bëjnë me shkencën, mjafton të cekim edhe këtë të dhënë se fjala “Ilm”- dije -shkencë me derivatet e saja është përmendur në Kur’an më se 850 herë, që argumenton qartë për pozitën e lartë të shkencës dhe të dijetarëve në Islam. Pikërisht këto ajete të zëna ngojë, ishin ato që i nxitën dhe i shtynë muslimanët e gjeneratve të mëhershme që të merreshin me studimin e shkencave të ndryshme ekzakte si matematikës, gjeometrisë, fizikës, kimisë, astronomisë etj, sepse ndjenin përgjegjësi dhe obligim moral-fetar, që të studiojnë këtë gjithësi, të cilën Allahu xh.sh. krijoi me një përsosmëri të plotë. Shumë prej YJEVE të cilët u zbuluan nga muslimanët dhe u emërtuan prej tyre, në shkencën e astronomisë botërore, edhe sot njihen me po ato emërtime. Sa për ilustrim ja vetëm disa prej tyre:
1. Achernar – ??? ?????
2. Aldebran –???????
3. Deneb - ?????
4. Algol - ?????
5. Fornex – ??? ???????
6. Fomalhaut – ?? ?????
7. Betelgeuse – ??? ???????
8. Rigel - ???
9. Sirius - ??????
10. Altair - ??????
11. Mira – ??????
12. Taurus – ?????
Të gjitha këto argumente dhe fakte bindëse, të gjitha këto shenja të udhëzimit hyjnor sot duhet të jenë nxitje dhe inspirim për ne, por edhe për breznitë që do të vijnë pas nesh se Kur’anin që e kemi par duarsh, nuk është një libër i tjeshtë të cilin vetëm duhet ta lexojmë, por është libër me anë të të cilit i shprehim madhërim Krijuesit, dhe nëpërmjet tij, hyjmë në botën ballëhapur edhe në botën e shkencës.
Është një fakt i pamohueshëm se njerëzimi sado që të përparojë në aspektin shkencor, aq më tepër do të bindet në saktësinë ë shprehjeve kuranore. Me një fjalë, shkenca e mirëfilltë, assesi nuk mund të vijë në kundërshtim me të vërtetat kuranore, sepse feja islame dhe shkenca janë një binom i pandarë dhe do ta përcjellin njerëzimin deri në fundin e shtegëtimit të tij në këtë botë.
Mesazhet kuranore drejtuar racës njerëzore sikur na flasin, na drejtohen e na thonë: “ O njeri ! faktet dhe argumentet flasin vetë, prandaj mos u habit, por kujtoje përherë se ekziston një Fuqi Mbinatyrore mbi të gjitha ligjet dhe shkaqet e kësaj gjithësie. Mos u bën prej atyre që mohuan Zotin e tyre e në realitet mohuan veteveten, por ndalu dhe mendo i qetë dhe dije se je krijesë e vogël, e pafuqishme dhe ke nevojë për udhëzim dhe prehje shpirtërore. E rruga e vetme për ta gjetur këtë udhëzim,është rruga e Kur’anit, është rruga e Islamit, që aq bindshëm na thërret në besim në Fuqiplotin, të Gjithpushtetshmin, të Lartmëdhërishmin, Krijuesin tonë - Allahun xh.sh.”
Jemi të vetëdijshëm se në këtë punim kemi lënë anash shumëçka, kemi lënë anash kontributin e dijetarëve muslimanë dhënë botës shkencore në shkencat matematikore, ato të gjeometrisë, të logjikës e posaçërisht të filozofisë, sepse muslimanët ishin ata që një kulturë dhe një qytetërim , pothuajse në agoninë e vdekjes - filozofinë e vjetër greke, e ringjallën, e freskuan dhe i dhanë domethënie jetës filozofike, por për këto do të flasim herave tjera nëse na ipet rasti - inshaallah.
I lartësuar dhe i zhveshur nga çdo e metë je o Allah fuqiplotë !
Vetëm Ty të takon falënderimi dhe lavdërimi !
Na udhëzo neve në rrugën e drejtë - në rrugën e shpëtimit !
A M I N