Koloset e tefsirit
Ali ibn Muhammed - El-Hazin
Ali ibn Muhammed - El-Hazin
dhe tefsiri i tij
“LUBABU-T-TE’VILI FI MEANI-T-TENZIILI”
Biografia e autorit të këtij tefsiri
Autori i këtij tefsiri është Alauddin Ebul Hasen Ali bin Muhammed ibn Ibrahim bin Umer bin Halil esh-shejhi el-bagdadi esh-shafiijj es-sufij, i njohur më shumë me ofiqin El-Hazin. U bë i njohur me këtë emër-Hazin, sepse ishte kujdestar i bibliotekës “Semejsatije” të Damaskut. U lind në Bagdad në vitin 678 h..
Në Bagdad, mësues i tij ka qenë Ibn Ed-Devalib, kurse pas ardhjes në Damask, mësues të tij ishin Kasim ibn Mudhaffer dhe Vezire bintu Umer. Ka qenë një njeri i dhënë shumë pas nxënies së dijes. Hazini la pas vetes shumë libra të shkruar në shkenca të ndryshme; njëri prej tyre është tefsiri i tij i mirënjohur “Lubabu-t-te’vili fi meani-t-tenziili”, më shumë i njohur si “Tefsiri i Hazinit”, për të cilin do të flasim në vazhdim. Ai më tutje ka shkruar edhe veprën tjetër të njohur “Sherh Umdetul Ahkam”, pastaj “Makbulul Menkul” në dhjetë vëllime. Hazini në këtë vepër të madhe tuboi nga Musnedet e Shafiut dhe të Ahmedit, po edhe nga gjashtë librat e tjerë të hadithit; mblodhi edhe nga “Muvettai” dhe Darekutni, dhe të gjitha këto transmetime i renditi dhe i klasifikoi në kapituj. Përpos kësaj, ai ka shkruar një biografi të gjatë të Muhammedit a.s.. Vdiq në Halep të Sirisë në vitin 741 h.[1]
Disa fjalë rreth tefsirit të Hazinit
Ky tefsir është version i shkurtër (muhtesar) i tefsirit të Begaviut, i cili gjithashtu është version i shkurtër i tefsirit të Tha’lebiut. Ky tefsir gjendet i përhapur edhe në mjediset tona; atë e kanë përdorur më tepër gjeneratat e mëhershme të hoxhallarëve tanë, gjithnjë kur rrëfenin tregime rreth sferës “tergib-terhib” në këshillimet e tyre.
Meqenëse ka qenë kujdestar i bibliotekës së Damasku, është e natyrshme që Hazini, gjatë leximit, të jetë ndikuar shumë nga libra të ndryshëm të tefsirit, që gjendeshin në këtë bibliotekë, dhe sidomos ndikim të madh tek ai do të kenë ushtruar Begaviu dhe Tha’lebiu.
Hazini e pranon se në tefsirin e tij ka vetëm përzgjedhje dhe transmetim të fjalëve të mufesirëve të mëparshëm, natyrisht duke i hequr isnadet për shkak të gjatësisë së teksteve.
Në këtë tefsir mund të hasim edhe transmetime nga tefsiri tradicional, por më shumë ka nga ai racional. Ky tefsir, ndonëse më tepër ka ngjyrim historik, megjithëkëtë, ato që mbizotërojnë më shumë në të, janë ngjarjet dhe rrëfimet e ndryshme me motive hebraike, të njohura më shumë si “israiliate”. Shumicën prej këtyre rrëfimeve, ai i klasifikon në prizmin dhe dritën e kritikës së shëndoshë, por po ashtu edhe në shumë raste të tjera kalon mbi këto legjenda pa thënë asnjë fjalë të vetme demaskimi, të paktën për t’ua bërë të ditur lexuesve dhe gjeneratave të mëvonshme se këto janë trillime dhe rrëfime të pabaza.
Se cilat do të kenë qenë arsyet që e shtynë Hazinin t’i qasej shkrimit të këtij tefsiri, do të mësojmë më nga afër prej vetë fjalëve të tij, i cili në parathënie thotë:
“Meqenëse libri “Mealim et-Tenzil”, të cilin e shkroi Imami i madh e i nderuar, gjallëruesi i Synetit,një model për dijetarët, imami imamëve,- Ebu Muhamed Husejn bin Mes’ud el Begavi, Allahu e pastë mëshiruar, është një ndër tefsiret më të rëndësishme të shkruara ndonjëherë, një tefsir që përmban transmetimet më të sakta dhe është i zhveshur tërësisht nga dobësitë, një libër që përmban tregime të çuditshme të popujve të mëhershëm…dëshirova të përzgjedh margaritarët e tij duke përmbledhur të gjitha kuptimet e tefsirit dhe thelbin e komentimit e të të shprehurit në mënyrë të shkurtuar… Në këtë libër unë nuk kam shprehur mendime të mia veçse kam përcjellë e përzgjedhur, duke iu shmangur gjatësisë së teksteve,dhe i kam fshirë isnadet…, por, sa herë që kam përmendur hadithe të Pejgamberit a.s., e kam lënë të paprekur vargun e isnadit, duke përmendur emrin e transmetuesit vetëm me shkronjën e parë, që t’u lehtësohet puna kërkuesve të ardhshëm të diturisë. Hadithet e vërteta të transmetuara nga Buhariu, i kam shënuar me shkronjën (خ ), kurse ato nga Muslimi me shkronjën (م ), ndërsa hadithet për të cilat këta të dy janë në ujdi, i kam shënuar me shkronjën (ق ). Po hadithet e transmetuara nga autorët e suneneve, i kam emërtuar sipas emrit të transmetuesve, si Tirmidhiu, Ebu Davudi, Nesaiu etj.
Nga fundi i parathënies së tij, Hazini i porosit dijetarët e ardhshëm që gjatë shkrimeve të tyre t’u përmbahen këtyre pesë gjërave: “Është mirë për secilin autor që shkruan në një lëmë në të cilën kanë shkruar të tjerët para tij, që libri i tij të përmbajë patjetër këto pesë veti:
- Sqarimi dhe ndriçimi i gjërave që kanë mbetur të pasqaruara e të pa komentuara;
- Tubimi i teksteve nëse ato në librat e kaluar kanë qenë të shpërndara (pa ndonjë lidhshmëri të mirëfilltë kuptimore);
- Sqarimi i teksteve, nëse ato janë të paqarta;4. Radhitja e bukur e tekstit dhe e fjalëve (që të kenë kuptime logjike);
- Të mënjanohen zgjatjet e panevojshme gjatë komentimit. Shpresoj se edhe libri që unë e shkrova (tubova), të mos jetë pa këto pesë cilësi që i përmenda dhe në fund e emërtova: “Lubabu-t-te’vili fi meani-t-tenziili”.[2]
Para se t’i hynte komentimit, Hazini shkroi edhe katër kapituj pararendës të tefsirit të tij: 1. Vlera e Kur’anit, leximi dhe mësimi i tij;
- Kërcënimi ndaj atyre që flasin për Kur’anin sipas mendjes së tyre, pa pasur njohuri;
- Tubimi i Kur’anit, radhitja e tij dhe zbritja e tij në shtatë dialekte, dhe
- Kuptimet e fjalës “tefsir” dhe “te’vil”, dhe komentimi i “Istiadhes” e menjëherë pas këtij kapitulli, fillonte komentimin e sures “El-Fatiha”.[3]
Interesimi i Hazinit për ngjarjet historike
Meqenëse Hazini ishte njohës i mirë i historisë, dhe, siç e theksuam më lart, është po ashtu autor i biografisë së Muhammedit a.s. në disa vëllime, ai në këtë tefsir gjatë komentimit të disa ajeteve, shpesh jep shpjegime të hollësishme për disa luftëra të Resulullahut s.a.v.s. P.sh. gjatë komentimit të ajetit 9 të kaptinës “El-Ahzab”:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا نِعْمَةَ اللَّهِ عَلَيْكُمْ إِذْ جَاءتْكُمْ جُنُودٌ فَأَرْسَلْنَا عَلَيْهِمْ رِيحًا وَجُنُودًا لَّمْ تَرَوْهَا وَكَانَ اللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرًا
“O ju që keni besuar, rikujtoni të mirën e Allahut ndaj jush, kur ju erdhi një ushtri, e Ne kundër tyre lëshuam një furtunë dhe ushtri që ju nuk e shihnit, e Allahu e shihte atë që ju vepronit.”
e shohim se, sa përfundon komentimin e këtij ajeti, shtjellon hollësisht këtë betejë historike, duke përmendur në fund dobitë e përfundimit të kësaj lufte për muslimanët si dhe shkatërrimin e ushtrisë armike nga ana e Allahut xh.sh. Kjo betejë ishte përpjekja e fundit e kurejshëve dhe aleatëve të tyre për ta thyer Muhammedin a.s., sepse nuk vonoi shumë dhe Muhammedi a.s. e çliroi Mekën dhe hyri triumfalisht në të, pa luftë.[4]
Në të njëjtin stil vazhdon të komentojë edhe betejën me fisin çifut “beni-kurejdha”, kur e komenton ajetin 27 të po kësaj kaptine “El-Ahzab”:
وَأَوْرَثَكُمْ أَرْضَهُمْ وَدِيَارَهُمْ وَأَمْوَالَهُمْ وَأَرْضًا لَّمْ تَطَؤُوهَا وَكَانَ اللَّهُ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرًا
“E juve jua la trashëgim tokën e tyre, shtëpitë e tyre, pasurinë e tyre dhe tokën që ende nuk e keni shkelur. All-llahu është i gjithëfuqishëm për çdo send.”
Interesimi i tij për dispozitat juridike
Në tefsirin e Hazinit në shumë vende do të gjejmë interesimin e tij për zbërthimin e çështjeve juridike. Madje ai ato i quan degëzime juridike, të cilat në fakt nuk kanë qenë objekt shqyrtimi dhe as komentimi tek shumica e mufesirëve të mëhershëm. F.v. gjatë komentimit të ajetit 228 të kaptinës “El-Bekare”:
وَالْمُطَلَّقَاتُ يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ ثَلاَثَةَ قُرُوَءٍ وَلاَ يَحِلُّ لَهُنَّ أَن يَكْتُمْنَ مَا خَلَقَ اللّهُ فِي أَرْحَامِهِنَّ إِن كُنَّ يُؤْمِنَّ بِاللّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ وَبُعُولَتُهُنَّ أَحَقُّ بِرَدِّهِنَّ فِي ذَلِكَ إِنْ أَرَادُواْ إِصْلاَحًا وَلَهُنَّ مِثْلُ الَّذِي عَلَيْهِنَّ بِالْمَعْرُوفِ وَلِلرِّجَالِ عَلَيْهِنَّ دَرَجَةٌ وَاللّهُ عَزِيزٌ حَكُيمٌ
“E ato gra që janë shkurorëzuar, janë të obliguara të presin tri menstruacione. Nëse i besojnë Allahut dhe ditës së fundit, atyre nuk u lejohet ta fshehin atë që All-llahu e krijoi në mitrat e tyre. E burrat e tyre kanë më shumë të drejta që gjatë asaj kohe, nëse duan pajtim, t’i rikthejnë ato. Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikur edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre. Allahu është i gjithëfuqishëm, i urtë”.,
ai, në lidhje me këtë çështje, sjell mendimet e Imam Ebu Hanifes dhe të Imam Shafiut, dhe shkruan një kapitull të veçantë: “Kapitulli që ndërlidhet me dispozitat e pritjes së gruas së shkurorëzuar”, dhe thotë: “Lidhur me këtë çështje, ndërlidhen katër gjëra: e para: kohëzgjatja e pritjes së gruas së shkurorëzuar që është shtatzënë; e dyta: kohëzgjatja e pritjes së gruas së cilës i ka vdekur bashkëshorti; e treta: kohëzgjatja e pritjes së gruas që është shkurorëzuar pas natës së parë të martesës (pas kontaktit intim), dhe e katërta: kohëzgjatja e pritjes së robëreshës.”[5], për të vazhduar pastaj me detajet dhe qëndrimet e shkollave juridike islame lidhur me këto çështje.
Interesimi i tij për këshilla në sferën “tergib-terhib”
Meqenëse Hazini ishte njëkohësisht sufijj (mistik), në tefsirin e tij mund të vërejmë edhe ngjyrime të tilla. Këto dalin në shesh sidomos gjatë shtjellimit dhe komentimit të ajeteve që kanë të bëjnë me namazin e natës dhe me vepra të tjera, që dijetarët zakonisht i kanë klasifikuar në sferën “tergib-terhib”.
P.sh. kur komenton ajetin 16 të kaptinës “Es-Sexhde”:
تَتَجَافَى جُنُوبُهُمْ عَنِ الْمَضَاجِعِ يَدْعُونَ رَبَّهُمْ خَوْفًا وَطَمَعًا وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنفِقُونَ
“I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika e nga shpresa dhe nga ajo që Ne ua kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin.”,
shohim që shkruan kapitullin: “Vlera e namazit të natës dhe nxitja për të”, ku, ndër të tjera, në lidhje me namazin e natës, sjell shumë hadithe që zakonisht i transmeton nga Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu.
Israiliatet në tefsirin e Hazinit
Edhe tefsiri i Hazinit, sikur edhe shumë tefsire të tjera para tij, është përplot me israiliate dhe rrëfime të çuditshme e të pabaza. Rrëfimet e tilla-israiliatet, Hazini i barti-përcolli nga tefsiri i Begaviut dhe ai Tha’lebiut. Megjithëse ai, nganjëherë, kur është fjala nga aspekti i besimit (Akaidit), i bën kritikë të rreptë ndonjë rrëfimi që bie ndesh me parimet themelore të besimit, siç është mbrojtja e Davudit a.s. nga shpifjet lidhur me martesën e tij me gruan e një luftëtari, një rrëfim që e quan të pabazë, ngase kjo, siç thotë ai, cenon “të mbrojturit e pejgamberëve-ismetul enbija’ë”,- ai nuk e bën po këtë gjë kur rrëfen tregimin mbi sabrin-durimin e Ejubit a.s., gjatë komentimit të ajeteve 83-84 të kaptinës “El Enbijaë”:
وَأَيُّوبَ إِذْ نَادَى رَبَّهُ أَنِّي مَسَّنِيَ الضُّرُّ وَأَنتَ أَرْحَمُ الرَّاحِمِينَ فَاسْتَجَبْنَا لَهُ فَكَشَفْنَا مَا بِهِ مِن ضُرٍّ وَآتَيْنَاهُ أَهْلَهُ وَمِثْلَهُم مَّعَهُمْ رَحْمَةً مِّنْ عِندِنَا وَذِكْرَى لِلْعَابِدِينَ
“(Kujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: Më gjeti belaja, e Ti je (më mëshiruesi ndër mëshiruesit)! Ne iu përgjigjëm atij nga Mëshira jonë, ia hoqëm ato vështirësi që kishte, i dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata, dhe e bëmë përkujtim për të devotshmit“
Ai rrëfen një israiliat për Ejubin a.s. dhe pasurinë e tij të madhe, për devotshmërinë e tij, dhe thotë: “Një ditë shejtani kërkoi leje prej Allahut që, nëse i lejohet, t’ia shkatërrojë pasurinë Ejubit a.s., do ta detyronte që ai ta mohojë edhe Vetë Allahun xh.sh.. Allahu xh.sh. i lejoi një gjë të tillë, por shejtani dështoi plotësisht në përpjekjet e tij djallëzore, ngase u ballafaqua me imanin e fortë të Ejubit a.s. Atëherë shejtani kërkoi leje sërish nga Allahu që tashti t’ia shkatërronte familjen. Kur edhe kësaj here dështoi ta kthente Ejubin a.s. në mosbesim, atëherë kërkoi që t’i futej në trup dhe t’ia shkatërronte atë me një sëmundje të pashërueshme... etj.! Pasi shejtani dështoi në përpjekjet e tij për ta dobësuar imanin e Ejubit a.s., iu paraqit gruas së Ejubit a.s. dhe i tha: “Unë kam mundësi ta shëroj bashkëshortin tënd, me kusht që ta marrë këtë qengj dhe ta presë kurban për hir timin!”. Gruaja mendjelehtë e Ejubit u tradhtua nga shejtani dhe pranoi një gjë të tillë, dhe këtë ia propozoi Ejubit a.s.. I prekur nga ky gjest i ulët, Ejubi a.s. u betua se, në rast se shërohet ndonjëherë, do ta rrihte gruan dhe do të hakmerrej ndaj saj. Në këto çaste kaq të vështira, ai, me devotshmërinë dhe përulësinë më të madhe, kërkoi nga Allahu xh.sh. që ta shëronte... !”[6]
I tërë ky rrëfim është i pabazë dhe në fakt është një shpifje e rëndë ndaj gruas së Ejubit a.s., sepse dihet se e vetmja ajo i qëndroi besnike gjatë sëmundjes së gjatë e të vështirë, dhe është për t’u çuditur për se Hazini nuk e tha asnjë fjalë për ta demaskuar si të paqenë e të trilluar këtë shpifje ndaj bashkëshortes së njërit prej pejgamberëve që Allahu xh.sh. e sprovoi më së shumti në këtë botë.
Shembuj të tillë kur ai hesht ndaj rrëfimeve të tilla, kemi mjaft në këtë tefsir, por ato tani për tani nuk janë objekt i studimit tonë.
Vlerësimet e dijetarëve për Hazinin dhe tefsirin e tij
Hazini ishte vlerësuar lart nga ana e dijetarëve, qoftë më të hershmit ose më të vonshëm. Ibn Kadi Shehbe ka thënë për të: “Ka qenë prej dijetarëve të mëdhenj, ka mbledhur shumë, por ai shkroi edhe vetë.”[7] Ndërsa Dr. Dhehebiu, në lidhje me tefsirin e Hazinit, thotë: “Tefsiri i Hazinit kuptohet lehtë, ka shprehje të qarta, por mjerisht ndër dijetarët e shkencës së tefsirit njihet më së shumti si tefsir tregimesh-rrëfimesh, dhe kjo ia zbeh vlerën e tij të vërtetë. E lus Allahun xh.sh. që dikush prej dijetarëve të ardhshëm ta veshë këtë tefsir me petka të reja duke e pastruar një herë e përgjithmonë prej rrëfimeve të pavërteta, të cilat rëndojnë mbi të, ose të paktën dikush t’i klasifikojë israiliatet që gjenden në të, në të vërteta, të dobëta dhe apokrife që të na mundësojë neve të kemi parasysh një libër vërtet të vlefshëm e kjo për ne do të ishte[8]:
نُّسْقِيكُم مِّمَّا فِي بُطُونِهِ مِن بَيْنِ فَرْثٍ وَدَمٍ لَّبَنًا خَالِصًا سَآئِغًا لِلشَّارِبِينَ
“...Mes ushqimit të tyre dhe gjakut, ju japim të pini qumësht të pastër, të shijshëm (të lehtë) për ata që e pinë” - (En Nahl, 66
------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
[1] Shih biografinë e tij në “Ed-Durreru-l-kamine”, vëll. III, fq. 97-98; pastaj “Tabekatul mufessirine” nga Davudi, vëll. I, fq. 422-423, Kajro 1994, si dhe në “Shedheratu-dh-dheheb”, vëll. VI, fq. 131.
[2] Dr. Muhammed Husejn Edh-Dhehebi, “Et-Tefsiru vel mufesssirune”, vëll I, fq. 295-296, Kajro, 1985.
[3] Dr. Hasen Junis Hasen Abidu “Dirasat ve mebahith fi tarihi-t-tefsir ve menahixhi-l-mufessirin”, fq. 135, Kajro 1992
[4] Për më gjerësisht lexo Tefsirin e Hazinit, vëll. V, fq. 193-200.
[5] Për më gjerësisht lexo Tefsirin e Hazinit, vëll. I, fq. 189.
[6] Tefsiri i Hazinit, pjesa 4, fq. 250-254, Kajro 1903.
[7] Hafidh Shemsuddin ed-Davudi “Tabekatul mufessirine”, vëll. I, fq. 423
[8] Dr. Muhammed Husejn edh-Dhehebi “El Israilijat fi-t-tefsiri vel hadithi”, fq. 137.