Poezi
Sa e gjate më duket kjo natë
Sa e gjate më duket kjo natë
E gjatë është kjo natë për mua, shumë e gjatë
Nuk di mëngjesi si do të më qelë
I pashpresë qëndroj, i vetëm dhe i ngratë
Me gjynahe i ngarkuar dhe i mjerë.
Pse kjo natë më duket kaq e gjatë
Përse heshtja zemrën ma trazon
Pse nuk gjej dot prehje në këtë shtrëngatë
Përse dëshpërimi shpirtin ma kaplon.
Si hije e venitur endem në errësirë
Në shpirt e në mendje i trazuar
Kërkoj diçka të humbur në këtë mugëtirë
E lus Zotin të mos më ketë harruar.
Mos më harro o Zot, në dritë më udhëzo
Më fal, më ndje e mos më le në errësirë
I lënduar në shpirt jam, o Zot më shpëto
Ndaj meje të ngratit, kij pakëz mëshirë.
Vetëm nga Ti vjen shpresa e mëshira
Vetëm Nuri Yt , zemrën ma ndriçon
Vetëm nga Ti çdoherë vjen e mira
Vetëm Ti o Zot, çdo brengë e largon.
Sabri Bajgora
Mars 2008